e enjte, 2 tetor 2008

Iaquinta shpëton Juventusin nga turpërimi

Mendohej një ndeshje e lehtë për bardhezinjtë torinezë, por tekniku Claudio Ranieri kishte paralajmëruar për kujdes ndaj modestëve të Bate Borisovit, dhe sigurisht që në përfundim të 90 minutave është vërtetuar drejtë frika e tij. Juventusi merr një pikë, e cila për mënyrën se si rrodhi ndeshja, mund të jetë e barasvlefshme me një fitore. Surpriza e këtij edicioni, Bate Borisov, kalon menjëherë në avantazh të dy golave ndaj “Zonjës së Vjetër” me anë të Krivets në minutën e 17-të dhe Stashevich në të 23-n. Mirëpo, reagimi i bardhezinjve nuk vonon dhe vetëm pas pesë minutash, Vincenzo Iaquinta ngushton diferencën në 2-1, me një goditje me kokë nga brenda zonës. Në sekondat e para të kohës shtesë të akorduar nga gjyqtari anglez, juventinët barazojnë në 2-2 rezultatin, me të njëjtin protagonist, Vincenzo Iaquinta. Torinezët shkojnë më të qetë drejt dhomave të zhveshjes, me bindjen se mund të ndryshonin disi fatin e takimit në 45 minutat e mbetura, por asgjë nuk ndryshoi, pavarësisht tentativave të kota të djemve të Claudio Ranierit. Juventusi tashmë renditet e dyta në grupin H, me 4 pikë, ndërkohë që ndeshjen e ardhshme do të presë në “Olimpicon” e Torinos kryesuesit e grupit, Realin e Madridit, një takim që nuk duhet humbur në asnjë mënyrë nga bardhezinjtë.

Nuk ka komente: