e enjte, 2 tetor 2008

Paris St Germen synon juventinin Zebina

Klubi francez kërkon mbrojtësin, që i skadon kontrata më 2011-n. Pas Makeleles dhe Giulys, Paris St Germen synon të marrë edhe juventinin Jonathan Zebina. Presidenti i klubit francez, Sharl Vilnëv, ka prej kohësh në mendje të ndërtojë një superskuadër. Por më shumë se një gjë e tillë, duket një formacion me shumë veteranë, që dikur kanë qenë protagonistë në fushën europiane. Për momentin, nuk ka asnjë ofertë zyrtare të ardhur te Juventusi. Janë më shumë se çdo gjë tjetër, zëra që qarkullojnë, por gjithsesi me një farë këmbëngulje. Në të vërtetë, aktualisht mbrojtësi i Ranierit është në “infermieri”, për shkak të një fryrjeje në Tendinën e Akilit. Për më shumë, nuk duket shumë e lehtë që mund t’u thotë lamtumirë menjëherë bardhezinjve, duke parë që e ka ritheksuar shpesh se kërkon ta mbyllë karrierën në Torino; gjithçka e konfirmon edhe kontrata e tij që skadon më 2001-n. Por, duke qenë se Zebina ka lindur në Paris, gjithçka mund të ndodhë. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar as aspekti teknik në skuadrën e Juves nuk do ta lejonte të luante si titullar mbrojtësin 30-vjeçar, pasi Ranieri është përqendruar te çeku Grygera. Megjithatë, francezi mund të përdoret edhe në role të tjera në repartin e mbrojtes, si një zgjedhje e vlefshme. PASARDHËSI I NEDVEDIT - Juventusi paska individualizuar pasardhësin e Pavel Nedvedit, por nuk do të jetë e lehtë të vijë në Torino. Emri i tij është Maidana; është 21 vjeç, argjentinas dhe luan në Rusi te Spartaku i Moskës. Lëvizja në merkato nuk do të jetë e lehtë, duke parë se Maidana ka një kontratë që e lidh me klubin rus deri më 2012-n, dhe që vlera e kartonit të tij shkon te rreth 12 milionë euro. Juventusi ka kohë që po kërkon një lojtar të aftë dhe të ri, në gjendje për të zëvendësuar “arushën” çeke, që me 36 vitet e tij mbi supe nuk mund të japë atë ndihmë që ka dhënë në vitet e fundit. Pikërisht, Maidana ka karakteristikat e Nedvedit, ndonëse do të jetë e vështirë të blihet, teksa klubet ruse paguajnë rroga të mëdha për talentet e kampionatit të tyre.

Nuk ka komente: