e enjte, 13 nëntor 2008

Ranieri: “Juventusi s’është vetëm Del Piero”

Mbrëmjen e sotme Juventusi do të ketë një testim të vështirë kundër Genoas, e cili do t’i paraprijë sfidës së javës së ardhshme në “Giuseppe Meazza” kundër Interit. Kuqeblutë e drejtuar nga Gianpiero Gasperini janë padyshim skuadra me në formë e momentit së bashku me Juventusin, pasi të dyja këto ekipe vijnë nga gjashtë ndeshje pa njohur humbje. Në takimin e fundit, Genoa shkatërroi në shtëpinë e saj Regginan në shifrat 4-0, ku protagonisti kryesor i kësaj sfide ishte padyshim “princi i Genoas”, Gabriel Milito, me tri gola. Nisur nga faktet e fundit, Claudio Ranieri, trajneri i Juventusit, është i frikësuar mbi një përballje të tillë, ndonëse lojtarët e tij kanë marrë plot 18 pikë të mundshme në gjashtë ndeshjet e fundit. “Kjo do të jetë sfida jonë e së vërtetës, e cila do të konfirmojë ose jo këtë moment pozitiv tonin, ndonëse është shumë e vështirë që të luash me të njëjtin ritëm çdo tri ditë, - sqaron Ranieri në konferencën e tij për shtyp në prag të kësaj sfide. – Ky i sivjetshmi është padyshim një kampionat i jashtëzakonshëm, ku tetë skuadrat e para i ndajnë vetëm katër pikë diferencë. Kjo do të thotë që të gjitha skuadrat janë përforcuar dhe nuk do të jetë aspak e lehtë të kërkosh suksesin kundrejt tyre. Pikërisht për këtë arsye, ne duhet të zbresim në fushë gjithmonë me përqendrimin në maksimum”, thekson tekniku i “Zonjës së Vjetër. Genoa – Që Ranieri i frikësohet Genoas, kjo gjë dallohet qartë nga fjalët e tij, por në të njëjtën kohë, ai e simpatizon lojën e zhvilluar nga kuqeblutë: “Gjatë merkatos së kësaj vere, presidenti Preziosi shpenzoi vërtet shumë, por ato shpenzime janë justifikuar me lojën e shkëlqyer të Genoas. Ata nuk kanë kurrë frikë të hidhen në sulm dhe janë shumë të rrezikshëm me kundërsulmet e tyre. Juve e Genoa, skuadrat më në formë? Sigurisht që ne po kalojmë një periudhë shumë të mirë, por Genoa akoma më të mirë se ne, kështu që duhet kujdes në fushë”. Del piero – Prej dy javësh, Del Piero, kapiteni bardhezi është në qendër të vëmendjes dhe sigurisht që ndaj tij pritet shumë edhe kundër Genoas, por Ranieri kërkon të ulë disi presionin ndaj tij: “Aleks është padyshim lideri i këtij grupi, ka shënuar gola fantastikë dhe vendimtarë në sfidat e fundit, por Juventusi nuk është vetëm Aleks Del Piero. Si unë, ashtu edhe lojtarët e skuadrës e dinë mirë se mund të mbështeten te kapiteni i tyre, por në fushë zbresin 11 lojtarë dhe nga bashkëpunimi i tyre duhet të lindë fitorja”, vazhdon të sqarojë Claudio Ranieri. Infermieria – Lajme të mira për Juventusin vijnë edhe nga infermieria, e cila me kalimine ditëve po zbrazet. Gjithsesi, ndaj Genoas do të vazhdojnë të mungojë, Buffon, Poulsen, Zanetti, Trezeguet, Zebina, Andrade, Knezevic e Salihamidzic por ndërkohë, Camoranesi, Marchionni e Marchisio do të jenë të grumbulluar për ndeshjen e mbrëmjes së sotme. “Pak nga pak të gjithë po rikuperohen dhe kjo gjë më gëzon pa masë, por nga ana tjetër, nuk dua të shpejtoj kohën e rikuperimit të askujt, pasi një gjë të tillë e bëra me Camoranesin dhe atij ju desh të ndalej përsëri. Nëse skuadra fiton, edhe morali i të dëmtuarve për t’u rikthyer sa më shpejt në fushë do të jetë më pozitiv”, përfundon Claudio Ranieri.

Nuk ka komente: