e diel, 16 nëntor 2008

Ibrahimovic “show”, Interi lë pas Juven

Një dygolësh spektakolar i sulmuesit suedez, u ka dhënë tri pikë zikaltërve në Palermo, që tashmë kryesojnë të vetëm.

Interi shkëputet në krye të renditjes së Serisë A me 27 pikë pas fitores mbrëmë në Palermo 2 0, duke lënë mbrapa Juven, që për momentin është në vend të dytë. Kanë mjaftuar dy gola spektakolarë të Zlatan Ibrahimovicit në pjesën e dytë që zikaltrit të forcojnë pozitat në krye. Dy gola spektakolarë të suedezit që konfirmon edhe një herë se është një nga sulmuesit më të mirë në botë. Tashmë Juventusi anti Inter që shpresonte te Palermo është detyruar të dorëzohet. Bashkë me të edhe shpresat për një bashkëkryesim që ndoshta mund të ndahej të shtunën që vjen në derbin e Italisë mes këtyre dy skuadrave. Në të vërtetë kampionët e Italisë kanë fituar në një fushë të vështirë si ajo në “Barbera”, ku miqtë zakonisht dalin me një ose pa pikë. Në pjesën e parë skuadra e Mourinhos ka qenë më racionale, ndërsa sicilianët ishin më agresivë, por pa mundur të konkretizojnë në portë. Dhe u desh të rifillonte pjesa e dytë që të zhbllokohej rezultati. Një krosim i gjatë në zonë ka gjetur kokën e Cruzit, i cili shërben për Ibrahimovicin dhe suedezi nga 27 metra godet fuqishëm dhe shënon me topin që prek edhe shtyllën. Një super gol ai i suedezit, që përsërit një “magji” tjetër pak minuta më vonë me një goditje standarte: një goditje e fortë me 124 kilometra në orë që çan murin e vendosur nga portieri Fontana. Kaq u ka mjaftuar kampionëve të Italisë për të mbyllur ndeshjen, e cila më pas nuk pati më histori. Madje Interi, duke e pasur lojën nën kontroll ishte pranë shënimit të golit të tretë me anë të Mancinit, i cili përballë portierit ngatërrohet në zonë dhe i shpëton topi nga këmbët. Me këtë fitore, supremacia “mourinhiane” ka folur sërish, madje me bindje, sepse pas kritikave për lojë jo sulmuese, barazime radhazi dhe gola “in extremis”, të gjitha fshihen dhe harrohen, pasi më shumë rëndësi ka suksesi. Megjithatë, duhen pritur edhe ndeshjet e sotme për të parë nëse Interi do të kërcënohet ose jo nga skuadrat e tjera si për shembull Milani, Napoli apo Lazio. Të trija këto skuadra duhet të fitojnë sot (respektivisht ndaj Chievos, Atalantës e Romës), për të mos e lënë “të arratiset” Interin në krye të renditjes.

Nuk ka komente: