e hënë, 17 nëntor 2008

Moratti: Ndeshja kundër Juves më e rëndësishmja

Këtë fundjavë Interi do të jetë nikoqir i Juventusit në Giussepe Meazza, ndërsa presidenti i zikaltërve, Massimo Moratti, beson se kjo do të jetë një ndeshja më e rëndësishme e skuadrës së tij. Nerazzurët janë në krye të tabelës me tre pikë diferencë nga Zonja e Vjetër që pozicionohet e treta, mirëpo të zgjedhurit e Ranierit janë të gatshëm që ta ngushtojnë këtë diferencë. “Në një Kampionat si i sivjetmi, me një dallim shumë të vogël pikësh ndërmjet disa skuadrave, mendoj se një ndeshje e tillë, Inter-Juve, ka rëndësi të madhe. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, mirëpo kjo e ka vendin e posaçëm”, ka thënë presidenti i Interit.Moratti ka folur edhe për formën e shkëlqyer të kapitenit të bardhezinjve, Alessandro Del Piero, duke thënë se do të dëshironte që ai të jetë sërish pjesë e kombëtares italiane.“Nëse më lejohet të marr njërin nga lojtarët e Juventusit, padyshim se do ta zgjidhja Del Pieron. Ai është një lojtar i madh dhe i meriton të gjitha komplimentet që i ka marrë kohëve të fundit. Kurrë nuk kam menduar se do të arrijë t’i ruajë këto standarde për kaq shumë vite, ndërsa është e pakuptimte pse nuk e admirojnë atë në Kombëtare”, ka përfunduar Moratti.

Nuk ka komente: