e hënë, 17 nëntor 2008

Trezeguet: Forca Juve, kthehem në Champions

Sulmuesi francez pret të riaftësohet në shkurt: Ëndrra ime është të ngre kupën, por edhe për titull do të luftojmë.

Në radhë të parë rendis Interin e Milanin, pastaj jemi ne dhe Lazio dhe akoma më prapa Fiorentina e Napoli.” Por kujdes: Juvja i tremb gjithnjë kundërshtarët e saj, si kur është në krye, ashtu edhe kur është në kërkim të vendeve të larta. Pikërisht si Ferrari.” David Trezeguet sapo ka përfunduar së ngrëni drekë. Firence është një fazë e rëndësishme e riaftësimit të tij. Programi i punës parashikon tetë orë terapi në palestër. Gjurin e ka mirë. “Momenti më i vështirë? Pas operacionit, kur qëndrova 15 ditë pa lëvizur me gjurin e fryrë. Një ferr.” Shpejt do të kthehet të vrapojë dhe në shkurt do të jetë i gatshëm për Ranierin. Me një objektiv të saktë në kokë: “Të fitoj Championsin. Juvja, duke mundur Realin në “Bernabeu”, tregoi se është e barabartë me “big”-ët e Europës. Është ëndrra ime në sirtar.” Në të vërtetë Juvja është kthyer protagoniste edhe në kampionat: “Dhe do të luftojë për titull deri në “kthesën” e fundit, - vazhdon sulmuesi francez. - Nëse e fitojmë titullin këtë herë do të jetë diçka speciale. Është një sfidë që unë, Del Piero, Nedved, Buffon e Camoranesi e kemi nisur që kur pranuam të luajmë në Serinë B. E jona ishte një “çmenduri” e madhe. Dy milanezet kanë akoma diçka më shumë. Por edhe pas dëmtimeve, Juvja ka gjetur titullarë të rinj si Marchionni e Tiago. Del Piero? Është reklama më e mirë për futbollin italian. Ka shumë lojtarë klasi në qarkullim, por asnjë s’e ka forcën dhe shpirtin e tij të garës. Do të vazhdojë kështu edhe për shumë vjet, sepse brenda ka “hekur”. Ranieri? Ju siguroj që Ranieri nuk e ka rrezikuar asnjëherë vendin dhe që asnjë në skuadër nuk ia ka kthyer ndonjëherë shpinën atij. As për një sekondë.” Ndërkohë Seria A ka rigjetur Ronaldinhon dhe sulmuesi francez shton: “Milani gjeti familjen që kërkonte, gjeti miqësinë, ndershmërinë, dëshirën për t’u stërvitur. Dhe tani të gjithë sytë janë te Dinho e Kaka, do të shënojë plot gola. Po Napoli? Ka një dëshirë të madhe të kthehet i frikshëm si dikur. Dhe ka zgjedhur të rinjtë e duhur. Një miku im tifoz i Indipendientes më ka folur mirë për sulmuesin Denis, i cili ka një forcë mbresëlënëse. Por sekreti është Lavezzi.” Por përveç “motrave” të zakonshme, Trezeguet përfshin edhe Romën që nuk po kalon një periudhë të mirë: “Mund të futet në zonën e Championsit. Rëndësi ka që Totti të jetë gjithnjë në fushë, edhe kur është i dëmtuar.” Duke u kthyer te Juventusi i tij, Trezeguet jep një mendim edhe për shokun e skuadrës Amauri, që është në kërkim të kombëtares: “Zemra e çon në Brazil, por mesazhet më të bukura i vijnë nga Lippi. Amauri do të bëjë mirë të përfshihet në projektin e parë të vërtetë që do t’i afrohet. Një tjetër qendërsulmues që do ta sillja menjëherë në Itali? Aguero. Një tjetër kategori: për t’u blerë me çdo shifër, pasi edhe Maradona e pret me kombëtaren argjentinase. Pastaj Diego dhe Argjentina është “martesa e shekullit”. Një dashuri e pavdekshme. Nëse do ta lënë të punojë Diego e Argjentina do të kenë shumë mundësi të fitojnë “Botërorin 2010″. Duke u nisur nga golat e Agueros e Messit. Po “Topin e artë” të ardhshëm cili e meriton? Cristiano Ronaldo”, - përfundon sulmuesi bardhezi Trezeguet.

Nuk ka komente: