e mërkurë, 12 nëntor 2008

Del Piero: Nuk shqetësohem për Topin e Artë


Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka thënë se ai mendon për "Topin e Artë", mirëpo nuk shqetësohet për faktin që kurrë nuk e ka fituar atë. Pasi kishte përfunduar si golashënuesi më i mirë në Serie A në sezonin e kaluar dhe pas formës së jashtëzakonshme që ka shfaqur këtë sezon, do të mendonit se ikona e Juves do të ishte ndër pretendentët kryesor për ta fituar “Topin e Artë”. Megjithatë, duke pasur parasysh moshën e tij dhe faktin që Juventus nuk ka fituar asnjë titull këtë vit, atëherë u jepet përparësi kandidatëve tjerë, siç është pretendenti kryesor, asi i Manchester United, Cristiano Ronaldo, i cili ishte golashënuesi më i mirë edhe në Premier League dhe në Ligën e Kampionëve, dhe njëkohësisht skuadra e tij është fituese e të dyja garave. “Mendoj se momenti im më i mirë i këtij sezoni ishte në ndeshjen kundër Realit në Bernabeu”, është shprehur Del Piero i pyetur për formën e tij të shkëlqyer këtë sezon. “Sa i përket ‘Topit të Artë’, mendoj se ka pasur periudha më të mira në karrierën time kur e kam merituar më shumë. Po të ma jepnin, nuk do ta refuzoja, megjithatë nuk shqetësohem shumë për këtë gjë”, ka thënë njëri nga lojtarët më të mirë në botë i të gjitha kohërave. Sa i takon Përfaqësueses së Italisë, e cila ka qenë gjithmonë pikë e dobët për Del Pieron, Djaloshi i Artë ka shtuar: “Kampionati botëror 2010 mund të jetë kulmi i karrierës sime, mirëpo ende është larg, kështu që aktualisht mendoj vetëm për Juven”.

Nuk ka komente: