e mërkurë, 5 nëntor 2008

Ranieri: “Pa frikë ndaj Realit”

Brenda dy javëve, Claudio Ranieri ka përgënjeshtruar të gjitha aludimet që mbizotëronin mbi të, nga largimi i tij i mundshëm nga Torino e deri tek kriza pa fund e skuadrës së tij. Lojtarët e drejtuar prej tij kanë regjistruar katër fitore në katër sfidat e fundit dhe udhëtojnë drejt Madridit me objektivin për t’i shtuar në pesë sukseset e tyre: “Në Madrid na pret një ndeshje e jashtëzakonshme, plot emocione e spektakël për të pranishmit. Dy javë më parë në Torino treguam se nuk qëndrojmë aspak më poshtë se kampionët e Spanjës. Jemi gati për ndeshjen me Realin dhe do të kërkojmë me mjetet tona që të arrijmë një sukses që do të na siguronte kualifikimin e sigurt për në turin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Në fushë do të zbresë historia e futbollit evropian dhe lojtarët e mi janë të ndërgjegjshëm që do të kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, por ne gjithsesi duhet të qëndrojmë të qetë”, deklaron në konferencën e tij për shtyp, trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri. Në Madrid, bardhezinjtë do të zbresin në fushën e lojës me shumë mungesa, pasi 12 titullarë të Ranierit vazhdojnë të jenë në infermieri. Dyshimi i vetëm i teknikut të “Zonjës së Vjetër” mbi formacionin anti-Real është aktivizimi në krahun e djathtë të Marchionnit apo Camoranesit, edhe pse ky i pari është disi i favorizuar kundrejt shokut të tij, pas golit të shënuar të shtunën ndaj Romës.

Nuk ka komente: