e mërkurë, 5 nëntor 2008

Schuster: “Të hakmerremi ndaj humbjes në Torino”

“Disfata në Torino ishte një goditje e rëndë për ne, pasi me më shumë kujdes mund të kishim dalë me një pikë të rëndësishme nga sfida me Juventusin”. Bernd Schuster, trajneri i Realit të Madridit, nuk e ka kapërdirë ende humbjen e dy javëve më parë në Itali të skuadrës së tij, e cila i ka detyruar kampionët e Spanjës të humbin primatin e Grupit H. Gjithsesi, çështja e kualifikimit momentalisht nuk është vënë në diskutim, por një tjetër hap i gabuar ndaj skuadrës së Claudio Ranierit, do të ishte vetëvrasëse për Realin: “Fitorja e mundshme ndaj Juventusit do të na lejonte të hidhnim një hap të sigurt drejt kualifikimit për në fazën e ardhshme të Ligës së Kampioneve. Bardhezinjtë, falë suksesit ndaj nesh kanë kapërcyer vështirësitë sezonale dhe tashmë po marshojnë frikshëm, qoftë në kampionat, ashtu edhe në arenën evropiane. Kanë fituar besimin në forcat e tyre dhe kjo sigurisht që e vështirëson përballjen tonë”, thekson trajneri gjerman i madrilenëve. Nëse Juventusi avancon bindshëm në kampionat, Reali është frenuar disi në Primera Division, ku barazimi në sfidën e së dielës kundër Almerias, i ka kushtuar “galaktikëve” zbritjen në pozicionin e tretë. Gjithsesi, Shuster kërkon të largojë mendjen nga kampionati dhe të përqendrohet plotësisht te ndeshja me bardhezinjtë: “Mjaftoi një barazim në kampionat dhe ndaj nesh menjëherë erdhën kritikat. Unë nuk shqetësohem shumë nga ato, por dua që skuadra të jetë e qetë në prag të kësaj ndeshjeje të vështirë. Ndaj Juventusit do të jetë një ndeshje vendimtare për kualifikimin tonë dhe ne nuk duam të gabojmë për marrjen e këtij objektivi, qoftë për skuadrën, po ashtu edhe për tifozerinë tonë”, deklaron trajneri i Realit të Madridit.

Nuk ka komente: