e martë, 4 nëntor 2008

Zinedine Zidane, një “ish” i dyfishtë

Zinedine Zidane është një ndër lojtarët e paktë, që ka arritur të luajë si me Realin e Madridit, ashtu edhe me Juventusin. Prandaj e pret disi me emocion përballjen e nesërme midis dy skuadrave në “Bernabeu”, aty ku pritet të jetë i pranishëm. “Nuk e di se për cilën do të bëj tifozllëk, sepse janë skuadra që kanë mbetur në zemrën time – ka thënë për shtypin spanjoll. Shpresoj të jetë një duel spektakolar dhe fitoftë më i miri!”. Ndërkohë, në një intervistë për të përditshmen sportive franceze “10 Sport”, Zizu ka treguar Marcello Lippin si trajnerin më të rëndësishëm të karrierës së tij: “Të gjithë, në mënyrën e tyre, kanë patur një rol të veçantë, por nëse duhet të kujtoj një të vetëm, ai është Marcello Lippi – ka thënëish-lojtari i Juves. Ai arriti të kuptojë vërtetë cilësitë e mia. Në Torino, gjatë një faze përgatitore, isha plotësisht në gjunj, i kritikuar nga të gjithë dhe ai më tha: ‘Shiko, trajneri jam unë, jam unë që vendos dhe e di se do t’ia dalësh mbanë... Do t’ia di për nder për të gjithë jetën vazhdon, sepse po të isha kthyer prapa nuk do të kisha patur kurrë karrierën që kam patur”. Francezi ka shpenzuar fjalë të ëmbla edhe për avokatin Agneli: “Çfarëdo që të më thoshte nuk mërzitesha. Ishte një nga rastet e rralla. Kishte autoritet, ishte një zotëri i madh. Ai e bënte Juven dhe tashmë më mungon shumë”.

Nuk ka komente: