e mërkurë, 5 nëntor 2008

Amauri ëndërron gol edhe në “Bernabeu”

Mesditën e djeshme, Juventusi i është drejtuar Spanjës, më saktë Madridit, ku mbrëmjen e sotme do të zbresë në “Bernabeu”, për t’u përballur me Realin e Schusterit, takimi i katërt për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. Objektivi i bardhezinjve është sigurimi matematik i kualifikimit për në turin e ardhshëm të këtij kompeticioni evropian. Ai që karikon skuadrën e tij në prag të kësaj sfide të rëndësishme është sulmuesi brazilian, Amauri, vendimtar dy javë me parë me golin e shënuar në Torino, pikërisht ndaj “galaktikëve”. “E dimë mirë se nuk na pret një sfidë e lehtë, - thekson sulmuesi i Juventusit, – por gjithsesi ne shkojmë në Madridit për të synuar vetëm fitoren”. Bardhezinjtë i drejtohen kësaj sfide pas katër fitoresh radhazi, e para e realizuar pikërisht në Torino ndaj Realit të Madridit: “Po kalojmë një moment shumë pozitiv dhe sigurisht që suksesi ndaj Realit ishte katalizatori i përfundimit të krizës sonë. Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë që vijmë nga disa sfida të zhvilluara radhazi, mbi të gjithë nga suksesi (2-0) i së shtunës në mbrëmje kundër Romës, por gjithsesi, besojmë se gjatë këtyre tri ditëve kemi rikuperuar disi forcat për të përballuar këtë ndeshje. Kemi kaluar një moment shumë të vështirë, por tani ka ardhur koha që të konfirmohemi si fitimtarë, edhe pse presim një ndeshje shumë të luftuar në “Santiago Bernabeu”. E pranoj që pas golit që shënova në Torino, do të ishte shumë bukur sikur të arrija të shënoja edhe në Madrid”, vazhdon Amauri. Përveç përfaqësimit me Juventusin, Amauri ëndërron edhe fanellën e Brazilit, por nga dita e djeshme, duket se ai i ka dhënë lamtumirën këtij objektivi, sepse trajneri Carlos Dunga, për të disatën herë radhazi ka injoruar bomberin bardhezi: “Nuk ka rëndësi nëse unë i qëndroj indiferent Dungës, pasi e vetmja gjë që tashmë më intereson është vlerësimi i Ranierit, i cili është edhe trajneri im. Momentalisht për mua ekziston vetëm Juventusi, i cili është njëkohësisht edhe Kombëtarja ime”, shprehet Amauri.

Nuk ka komente: