e hënë, 3 nëntor 2008

Juventus ia zgjat kontratën Del Pieros

Ikona e Juventusit Alessandro Del Piero duket se do të shpërblehet nga skuadra e tij për formën e shkëlqyer që ka shfaqur edhe në sezonin e ri, me ç’rast skuadra ka vendosur t’ia zgjatë kontratën aktuale edhe për një vit më shumë. Mediat italiane njoftojnë se presidenti i Juves, Giovanni Cobolli Gigli, dëshiron t’ia rinovojë kontratën e Del Pieros me qëllim që ta zgjat atë edhe për një vit më tepër. Kapiteni i bardhezinjve ka qenë në një formë mahnitëse në sezonin e kaluar duke u shpallur golashënuesi më i mirë në Serie A, ndërsa këtë fillimsezoni, me golat dhe me asistimet e tij, ka qenë njeriu kyç në rikthimin e Zonjës së Vjetër në formën më të mirë. Lojtari më besnik i Juventusit, që nga vitit 1993 bart fanellën bardhezi, të cilën e ka nderuar duke fituar shtatë Scudetto dhe Ligën e Kampionëve (ndërkohë që ka luajtur në tre finale të tjera të garës më prestigjioze evropiane), si edhe ka fituar plot çmime personale, duke bërë që karriera e tij të jetë ëndërr e çdo futbollisti. Loja e tij te Juventus ia ka mundësuar edhe paraqitjen me Përfaqësuesen italiane, me të cilën është shpallur kampion bote në vitin 2006. Goli i tij kundër Realit në takimin e Ligës së Kampionëve dhe supergoli kundër Romës në mbrëmjen e të shtunës, ka shtyrë drejtuesit e klubit që ta mbajnë “Djaloshin e Artë” në skuadër sa më gjatë që është e mundur. Kontrata aktuale e Del Pieros përfundon në vitin 2010, ndërsa Cobolli Gigli do t’i ofrojë edhe një vit zgjatje, që do të thotë se ai do të luajë për Juventusin deri në vitin 2011.

Nuk ka komente: