e shtunë, 1 nëntor 2008

Ranieri: Verdhekuqtë meritojnë respekt

Asnjë emocion në përballjen me Romën.Trajneri i Juventusit, Claudio Ranieri, kërkon respekt maksimal nga futbollistët për formacionin verdhekuq, sepse, sipas tij, ata vërtetë nuk pokalojnë një periudhë të mirë rezultatesh, por kjo s’do të thotë që janë në krizë. Për Ranierin, kjo sfidë do të jetë speciale, duke njohur origjinën e tij kryeqytetase. “Tashmë u bënë 34 vjet që jam larguar nga Roma, skuadër në të cilën kam kaluar qoftë si futbollist, ashtu si dhe trajner. Roma mbetet gjithmonë Roma, dhe nuk është aspak në krizë. Deri një javë më parë, të njëjtën gjë deklaronin edhe mbi gjendjen tonë. Spalletti ka tre vjet që e drejton këtë skuadër në mënyrë të mrekullueshme. Sigurisht, momentet e vështira në futboll i kalon çdo skuadër, vetëm se koha se kur do të ndodhin këto gjëra nuk është e përcaktuar. Grupi i lojtarëve verdhekuq është i njëjtë me atë që ka qenë protagonist në tri sezonet e fundit, kësisoj jam mjaft i sigurt se do vazhdojë të jetë i tillë edhe në këtë sezon. Mjafton një fitore dhe fati i keq do të kthejë për ta. Pikërisht për këtë arsye kërkoj përqendrim maksimal nga skuadra”, ka theksuar tekniku juventin. Formacioni – Përsa i përket lojtarëve që do të zbresin nëfushë, Claudio Ranieri është i shqetësuar për gjendjen fizike që po kalojnë dy mesfushorët e qendrës, që luajtën edhe në Bolonjë, Tiago e Sissoko. Mirëpo përveç tyre, shqetësohet edhe për mbrojtësin kroat, Knezevic, i cili në ndeshjen e“Dall’Ara”-s ka ndjerë probleme brenda 10-minutëshit të parë të lojës, e megjithatë, duke shtrënguar dhëmbët, ka vendosur të qëndrojë deri në përfundim të ndeshjes. Këto probleme mund të bëjnë që kreu i pankinës së “Zonjës së Vjetër”të zbresë në fushë përballë verdhekuqve me tre sulmues, e njëjta skemë e përdorur kundër tyre në dy ndeshjet e sezonit të kaluar. Gjithsesi, për këtë, Ranieri do të vendosë vetëm pak përpara fillimit të ndeshjes. Ndërkohë lajme të mira vijnë nga rikuperimi i Del Pieros, Camoranesit e Legrottaglies. Për sa i përket luftës për titull, tekniku i juventinëve pohon se Interi e Milani nuk e frikësojnë aspak, pasi forca e tyre njihet tashmë prej dekadash. “E dimë që Milani është një superskuadër, po ashtu edhe Interi. Kështu që ne do të bëjmë kampionatin tonë. Gjithsesi, vetëm aty nga muaji maj mund t’i bëjmë më saktë llogaritë se deri ku mund të shkojmë, apo çfarë dotë synojmë”, ka përfunduar tekniku i Juves, Claudio Ranieri.
Sërish rinovim për Nedvedin - Karriera e Pavel Nedved mund të mos përfundojë në fund të këtij sezoni. Drejtuesit e Juventusit po mendojnë seriozisht për t’ia rinovuar kontratën mesfushorit çek, 36 vjeç. “Pavel mund të jetë akoma vendimtar,” - ka thënë agjenti i tij Mino Raiola. Domethënë, që Ranieri dhe klubi duan të provojnë ta bindin lojtarin. Objektivi i Nedved është Champions Liga, një stimul që mund ta shtyjë për të vazhduar. Ndërkohë, Pavel kërkon finalen e Romës. Ka qenë Ranieri që pas ndeshjes me Bolognan ka bërë hapin e parë: “Pavel është kapiteni i të rinjve, po flas me klubin për t’ia rinovuar kontratën edhe për dy vite të tjera”. Sigurisht që trajneri dhe drejtuesit juventinë i janë mirënjohës lojtarit edhe për rolin që ai ka pasur në periudhën e krizës që sapo ka kaluar ekipi. Lojtari çek dhe Del Piero janë dy liderë në dhomat e zhveshjes, që dëgjohen edhe nga pjesa tjetër e skuadrës. Por Nedved do të donte të tërhiqej në fund të sezonit: “Kujtojnë se jam 26 vjeç, por jam 36 dhe i ndiej,” - ka thënë mesfushori. Por kënaqësia që të jep Championsi është e pamohueshme; kjo mund të bëjë mrekullinë, edhe nëse objektivi kaq shumë i dëshiruar mund të arrihet që këtë vit. Në këtë rast, Pavel me shumë vështirësi do të hiqte dorë nga mundësia për të mbrojtur trofeun e fituar me kaq shumë sakrifica.

Nuk ka komente: