e enjte, 6 nëntor 2008

“Santiago Bernabeu”, në këmbët e Del Pieros

Ashtu siç tradita urdhëron. Ndeshja e 14-të në Evropë ndërmjet Realit të Madridit dhe Juventusit nuk përfundon sërish në barazim, por këtë herë janë italianët, të cilët falë një ndeshjeje perfekte thyejnë tabunë 46-vjeçare të “Zonjës së Vjetër” në “Santiago Bernabeu”. Suksesi i mbrëmjes së djeshme mban vulën e kapitenit Alessandro Del Piero. Dy gola, njëri më i bukur se tjetri gjunjëzojnë në shtëpi kampionët e Spanjës, ndërkohë që tifozeria e “Bernabeut” nuk nguron të duartrokasë yllin e bardhezinjve në momentin e zëvendësimit të tij, ashtu sikurse ylli i futbollit botëror dhe trajneri i ri i Argjentinës, Diego Armando Maradona, i cili nuk kishte se si të mungonte në njërën prej sfidave legjendare të futbollit evropian. Gjithsesi, e rëndësishme në këtë përballje ndërmjet këtyre dy skuadrave ishte fitorja dhe Juventusi diti ta bëjë mjaft mirë diçka të tillë. Minuta e 17-të e pjesës së parë edhe juventinët kalojnë në avantazh pas një goditjeje nga 20 metra të kapitenit të tyre, i cili do të përsëritetedhe në minutën e 22-të të pjesës së dytë, duke vënë në kasafortë suksesin dhe kualifikimin matematikor për në raundin e 1/8 të finaleve të Ligës së Kampioneve. Del Piero arrin t’u shënojë “galaktikëve” të Schusterit tri gola brenda dy javëve dhe blindon gjithmonë e më shumë Claudio Ranierin në pankinën bardhezi.

Nuk ka komente: