e mërkurë, 12 nëntor 2008

Aleks Del Piero tani e tepron

Alessandro Del Piero nuk kërkon të ndalet më, madje, edhe e ekzagjeron me atë çfarë pret nga e ardhmja e tij. Kapiteni juventin ka qenë vendimtar në gjashtë ndeshjet e fundit të fituara nga “Zonja e Vjetër” në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve, ndërkohë që në ndeshjen e ditës së enjte kundër Genoas shpreson që të jetë vendimtar, ashtu si në të fundit. “Mrekullia personale e këtij sezoni? Sigurisht që dy golat në “Santiago Bernabeu”, - thekson numri 10 i Juventusit. – Objektiv tjetër që do të më pëlqente të realizoja është fitimi i “Topit të Artë” dhe është e kotë ta mohoj një gjë të tillë (Alessandro një gjë të tillë nuk mund ta fitojë këtë vit, sepse nuk bën pjesë në listën e 50 të përzgjedhurve nga revista e famshme franceze që dhuron këtë titull, “France Football”). Por gjithashtu, dua të pranoj se në karrierën time kanë kaluar sezone në të cilat “Topin e Artë” do ta kisha merituar më shumë se në këtë fazë të sezonit. Ai do të ishte një titull që do të vlerësonte në mënyrë të mrekullueshme karrierën time, por kjo nuk do të thotë se pa të do të më mundohet gjumi”. Pas dy vitesh, Alessandro e sheh veten e tij ende duke vrapuar në fushën e lojës dhe sigurisht që në 2010-n nuk kërkon vetëm fushat e Serisë A, por edhe ato të arenave ndërkombëtare: “Botërori 2010 sigurisht që do të kurorëzonte karrierën time sportive, ndonëse ka ende kohë deri në një eveniment të tillë. Tani për tani mendoj vetëm për Juventusin. Lippi nuk më thërret në Kombëtare? Ndërmjet nesh ka ekzistuar gjithmonë një marrëdhënie e veçantë, por në këtë periudhë po studion gjëra të tjera. Ndeshja me Genoan? Shumë vlerësime thonë që të bëjnë keq, por të enjten do ta vërtetojmë më konkretisht diçka të tillë. Gjithsesi, unë nuk dua të mungoj dhe shpresoj që të jap sërish kontributin tim për suksesin e skuadrës”, përfundon Alessandro Del Piero.

Nuk ka komente: