e shtunë, 1 nëntor 2008

Amauri: Kujdes nga kriza e Romës!

Amauri është konfirmuar si arma më efortë e skuadrës së Juventusit në këtë fillim sezoni. Konstant në të gjitha ndeshjet e zhvilluara dhe vendimtar me golat e tij, jo më kot braziliani është golashënuesi më i mirë i klubit bardhezi. Pas realizimeve ndaj Realit të Madridit dhe në derbin kundër Torinos, Amauri po “mpreh këpucët” për ndeshjen e së shtunës në mbrëmje kur në “Olimpicon” e Torinos do të mbërrijë Roma. Skuadra verdhekuqe po kalon një moment shumë të vështirë,por braziliani nuk qëndron i qetë në prag të një fakti të tillë, pasi pothuajse të njëjtën gjë sapo e kaloi edhe Juventusi: “Do të jetë një ndeshje shumë e bukur, pavarësisht problemeve që po kalon Roma. Kanë rikuperuar Totin dhe sigurisht që kapiteni, një ndër lojtarët e mi më të preferuar, do t’i japë një tjetër ritëm trupës së Spallettit. Nuk dua t’i besoj aspak gjendjes së vështirë të verdhekuqve, pasi edhe në një moment të këtillë dhamë përgjigjen, në një sfidë shumë të rëndësishme kundër Realit të Madridit dhe më pas ndaj Torinos. Kështu që, të njëjtën gjë mund të na shkaktojë edhe Roma. Pikërisht për këtë arsye duhet të qëndrojmë të qetë dhe të vëmendshëm. Kombëtarja?Dunga më injoron, por unë do të vazhdoj rrugën time. Mbërrita në Itali si një i panjohur dhe tashmë jam në njërën prej skuadrave më të mëdha në botë. Nga ana tjetër, fakti që Kombëtarja e Kampioneve të Botës më vëzhgon me kujdes, është një stimul më shumë për mua. Nëse Lippi do të më telefononte... ta lëmë surprizë”, deklaron Amauri.

Nuk ka komente: